“Ama thikën”/ Detaje nga rrahja brutale te ‘Kafet e Rakisë’ ku mbeti i therur një 24-vjeçar

Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

E një rrahje brutale ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘2 Korriku’ në Prishtinë, apo siç njihet ndryshe te ‘Kafet e Rakisë’, ku disa persona janë përleshur mes vete për motive ende të panjohura.

Sinjali mëson se si pasojë e përleshjes ka mbetur i therur me thikë një 24-vjeçar, i cili është dërguar me urgjencë për në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë personat tjerë të përfshirë në rast, janë larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi, ku sipas burimeve, disa nga ta kanë ikur me taksi, ndërsa një tjetër është larguar me motoçikletë.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima kishte marrë plagë në stomak si pasojë e goditjes me thikë, por pas intervenimit të mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë në ngjarje.

Kujtojmë që momenti i përleshjes është publikuar edhe në media, ku gjatë rrahjes dëgjohet dikush duke thënë ‘ama thikën’.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.